Raportimet e disa mediave që është arritur koalicion parazgjedhor mes Nismës Social Demokrate dhe Partisë Demokratike të Kosovës, i ka mohuar një burim brenda partisë që udhëhiqet nga Fatmir Limaj.

“Nuk është e vërtetë”, ka thënë një zyrtar i lartë i Nismës Social Demokrate për VOX Kosova.

Lidhja Demokratike e Kosovës është treguar e hapur që njerëz të Nismës të përfshihen në listën e saj. Javë më parë madje ishin takuar Fatmir Limaj dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.


Zyrtari i Nismës, në bisedë me VOX-in, nuk ka mohuar mundësinë që të shkojnë me LDK-në dhe, sipas tij, kjo do të dihet në fund të javës.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë bërë të ditur se partitë politike që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit përmes koalicioneve duhet të njoftojnë KQZ-në deri më 30 nëntor.

Në një konferencë për media javën e kaluar, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri me dije se ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Këtë vendim, Osmani e mori pas takimit që pati me partitë politike.

Ish-opozita: PDK, LDK dhe AAK thanë se kanë propozuar që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor, ndërsa VV-ja propozoi 28 dhjetorin, datë që u zgjedh nga Osmani.