Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar sot Dialogun Strategjik me Kosovën. Vendimi, siç njoftoi ambasada u mor pas deklaratave të kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
Por çka është Dialogu Strategjik?
Dialogu Strategjik është një proces që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht Departamenti Amerikan i Shtetit zhvillon me vende të ndryshme të botës. Synimi i tij është avancimi i marrëdhënieve bilaterale. I njëjti përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve të cilat zhvillohen ose në Washington ose në vendin përkatës me të cilin zhvillohet ky dialog.
Më 10 janar të këtij viti, presidentja Vjosa Osmani njoftonte se Kosova që nga viti 2021 ishte përpjekur që ta finalizonte këtë dialog duke i dërguar propozim SHBA-ve. Pas katër vjetësh ishte arritur që kjo marrëveshje të finalizohej.

Zakonisht, dialogu strategjik zhvillohet midis SHBA-ve dhe vendeve me të cilat ata duan të kenë partneritet strategjik, apo vende me të cilët lidhen interesat rajonale, ushtarake, ekonomike ose politike.
Përveç shteteve, ky dialog mund të zhvillohet edhe me organizata.
Pezullimi i këtij procesi nënkupton se Kosova s’do të zhvillojë më takime e konsultime në kuadër të këtij dialogu me SHBA-të. Kjo si shkak i Albin Kurtit, siç e konfirmoi vetë ambasada.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për një mirëqenie të ndërsjellë ekonomike. Për fat të keq, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit kujdestar Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, u tha në njoftim.