Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, është shprehur pro kthimit të Kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në PDK.
“Miq të dashur, më keni dërguar shumë pyetje lidhur me kthimin e Fatmir Limajt në PDK. Po të varej nga unë, kjo çështje do të ishte e kryer, sepse qëndrimi im ka qenë dhe mbetet PËR”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Ai theksoi se vendimin e merr Kryesia e PDK-së, por bëri me dije se këtë qëndrim do ta mbajë edhe në mbledhjen e Kryesisë.
“Uroj që ta respektojmë vullnetin e elektoratit dhe, bashkërisht, ta fuqizojmë PDK-në”, potencoi ai.
Më 8 maj, Limaj i dërgoi një letër Kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ku i shprehu edhe zyrtarisht gatishmërinë për pjesëmarrje në listën zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.









