Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi ai ka deklaruar se e frikëson “Marshi për Liri”.
“Vuçiq paska thënë se e frikëson Marshi për Liri. Deksha n’lloç”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se Vuçiçin, Serbinë dhe armiqtë e Kosovës nuk i frikëson marshi, por verdikti në Hagë.
“Ty, Serbinë e armiqtë e Kosovës nuk ju frikëson marshi. Ju frikëson verdikti në Hagë”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka thënë se Serbinë e “tmerron” fakti se Kosova, pavarësisht përpjekjeve për ta shfarosur popullin e saj, ka arritur të jetë shtet i pavarur, sovran dhe i lirë.
“Juve ju frikëson e ju tmerron fakti i pamohueshëm se një popull i vogël, të cilin jo vetëm që jeni përpjekur ta shfarosni, por edhe e keni përbuzur politikisht e kulturalisht, ju ka mundur”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se Kosova është shtet, i pavarur, sovran dhe i lirë.
Sipas Çitakut, lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri dhe mbijetesë, ndërsa NATO ka ndërhyrë për t’i dhënë fund një katastrofe humanitare.
“Këtë histori nuk e zhbëni dot. As me propagandë, as me viktimizim, as me frikë nga marshet tona”, ka thënë ajo.
Në fund, Çitaku ka përsëritur se Kosova është e lirë, duke i drejtuar Vuçiçit mesazhin: “Move on”.









