“Ministre, dua të sqaroj një situatë. Kam dëgjuar thashetheme se Lavdim Krasniqi është duke u ndjekur penalisht për inati tuaj. Por këtë nuk e kam për inatin tuaj.”
Servilshëm, këto fjalë ia kishte thënë, krejt jozyrtarisht, Albulena Haxhiut, Zejnullah Gashi, personi që mori më së shumti vota dhe u propozua për Kryeprokuror të Shtetit, të cilin pritet ta dekretojë pikërisht Albulena Haxhiu, tash në cilësinë e U.D. së Presidentes.
Gjithçka duket si rastësi, por nuk është.
Ja pse.
Pushteti i Vetëvendosjes, për pesë vjet, e sulmoi brutalisht sistemin prokurorial, nga deklaratat më të thjeshta deri te mosdekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit, duke e lënë vendin pa këtë pozitë kyçe për ato vite.
Në momentin që morën në dorë Presidencën, e detyruan Këshillin Prokurorial të hapte konkurs të ri, pa e mbyllur paraprakun, dhe dalëngadalë po e zotërojnë edhe këtë hallkë të rëndësishme, sistemin prokurorial.
Kjo përbërje e re e Këshillit, për herë të parë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, u takua me Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën një javë para se të votohej për emrin e Kryeprokurorit të Shtetit, në procesin më të rëndësishëm të drejtësisë.
Prokurori që feston krah Glauk Konjufcës, Faton Pecit dhe Blerim Gashanit, pikërisht nga kjo përbërje e re e Këshillit i mori pesë vota dhe po i shkon për dekretim Haxhiut, e cila vetë e kishte denoncuar.
Cili është shpjegimi tash, kur Vetëvendosja po e organizon zgjedhjen prokuror të një pësoni që vetë e kishte denoncuar dhe atë publikisht.
Me cka u shpërla para Vetëvendosjes Zejnullah Gashi?
Si kaloi nga person që ishte shëmbëlltyrë e kalbjes prokuroriale për Vetëvendosjen në njeriun që mund ta marrë pozitën më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë?
A ndodhin këto ndryshime rastësisht? Normalisht që jo?
Si mund të funksionojë Zejnullah Gashi i lirë e i pavarur e i pa shtrënguar politikisht tash nga Vetëvendosja?
Në VOX Kosova do të keni raportime çdo javë e mbase edhe çdo ditë për këtë pazar që jeta publike nuk e ka parë këto 26 vjet.








