Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës.

“Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.

Vendimi i Presidentes vjen pasi që dy mandatarët e Vetëvendosjes – Albin Kurti dhe Glauk Konjufca – dështuan që të krijojnë Qeverinë, duke ia hapur rrugën zgjedhjeve të reja.

Në këtë drejtim, Osmani mbajti sot një takim me krerët e partive politike ku u diskutua data e zgjedhjeve të reja. Partitë e ish-opozitës – PDK, LDK dhe AAK – thanë se kanë propozuar 21 dhjetorin si datën më të përshtatshme.