Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në vendin ku qëndronte Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, në zyrën e saj zyrtare, ka vendosur një punim filigrani, ndërsa fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova ia ka ndërruar vendin.

Ky veprim ka nxitur reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Përmes një komunikate, LDK-ja e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e presidentes Shiroka-Pula për largimin nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë.

Sipas kësaj partie, këto dy elemente nuk janë dekorime të zakonshme, por simbole me rëndësi historike dhe shtetërore për Kosovën.

LDK-ja ka vlerësuar se fotografia e Rugovës dhe Deklarata e Pavarësisë përfaqësojnë themelet e shtetësisë së Kosovës, ndërsa largimi i tyre cenon respektin institucional ndaj historisë dhe identitetit shtetëror.

Në reagim, kjo parti i ka kërkuar presidentes Shiroka-Pula që ta rishikojë vendimin dhe fotografinë e Ibrahim Rugovës, bashkë me Deklaratën e Pavarësisë, t’i rikthejë në vendet e tyre të nderit në Presidencë.