Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka tentuar që ta prishë takimin e Brdo-Brionit që u mbajt në qytetin bregdetar të Durrësit. Ajo deklaroi se kreu serb iu drejtua samitit me “ofendime dhe arrogancë”, derisa bëri me dije se udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor e miratuan deklaratën e përbashkët me unamitet.
“Sikurse edhe në takimet e tjera të Brdo-Brionit, ndoshta në një dozë edhe më të madhe Vuçiç i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, me tentimin që ta prishte takimin. Por, në fund arritëm ta miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet”, tha Osmani për gazetarë pas takimit.
Ajo potencoi se “natyrisht, për çdo propagandë që Vuçiç synonte që të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumente në anën e së drejtës dhe argumente të cilat janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare, nëpërmjet mendimeve të GJND-së”.
“Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por në të njëjtën kohë do ta mbrojmë interesin tonë shtetëror. Do ta mbrojmë sovranitetit tonë, integritetin tonë territorial”, shtoi.
E para vendit potencoi edhe se Vuçiç kishte mospajtime në lidhje me marrëveshjen e përbashkët mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes.
“Edhe pse Vuçiç kishte ankesa për paktin tonë, për marrëveshjen e përbashkët Kosovë–Shqipëri–Kroaci në fushën e mbrojtjes, ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë”, deklaroi ajo.
Osmani theksoi se përgjigja e saj ishte se “në tërë historinë e ekzistencës tonë si komb, ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, asnjëherë nuk e kemi pushtuar askënd, mirëpo gjithnjë e kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten dhe integritetit tonë territorial”.
Nga ana tjetër, Vuçiç theksoi për mediat se gjatë takimit kishte pasur përplasje me Osmanin kur u diskutua për integritetin territorial.
“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Të rrotullohet stomaku dhe të gjithë e dëgjojnë dhe tundin kokën… Prandaj, unë ja kujtova ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, i urova që të ketë më shumë turizëm në jetën e saj dhe kjo ishte”, tha Vuçiç, transmeton Radio Evropa e Lirë.









