“Ramush Haradinaj nuk është hero i shqiptarëve; kriminel i zakonshëm e primitiv; punon me dhunë dhe presion; haraçegji”.
Ky është një nga deklarimet monstruoze që Donika Gërvalla, sot ministre e Drejtësisë e kishte bërë për median gjermane Deutschlandfunk, vetëm 6 ditë pasi që Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit kur iu ngrit aktakuzë nga Tribunali ndërkombëtar për krime në ish-Jugosllavi.
“Haradinaj nuk është hero i shqiptarëve në Kosovë” përsëritë Gërvalla, duke qortuar mediumin gjerman që i referohet ashtu.
Gërvalla, në gjuhën e Serbisë, kishte shtuar se Haradinaj “nga shumica e njerëzve në Kosovë konsiderohet si kërcënim”.
E pyetur se pse e konsideron si kërcënim Haradinajn, Gërvalla, përveç akuzave të cilat ia kishte ngarkuar Haga, e akuzonte ish-komandantin e UÇK-së edhe për haraç.
“Nuk mund ta përjashtoj që, përveç akuzave të Hagës, zhvatja e parave në këmbim të mbrojtjes, kontrabanda dhe, mbi të gjitha, frikësimi i dëshmitarëve, janë struktura të vazhdueshme të sjelljes së zotit Haradinaj dhe këtyre njerëzve”.
Madje, kur gazetari gjerman, e ballafaqonte me faktin se Haradinajn e kanë mbështetur ndërkombëtarët dhe nëse mendon që kjo është e gabuar, Gërvalla thoshte se “e konsideroj të papërgjegjshme nga ana e BE-së, qeverisë gjermane dhe gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që t’u japin edhe më shumë prestigj këtij lloji politikanësh”.
Gërvalla u ballafaqua edhe me faktin se Haradinaj ishte zgjedhur Kryeministër për shkak të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës – parti ku ajo bënte vetë pjesë atëherë.
Këtu, Gërvalla thoshte se ish-Presidenti Ibrahim Rugova, ka bërë “pazar” për t’u rizgjedhur President, derisa Haradinajn e quante “kriminelë të zakonshëm dhe primitiv”.
“Shumë e cilësojnë atë si një kriminel të zakonshëm dhe primitiv, i cili me presion dhe dhunë dhe në mënyrë shumë jodemokratike punon kundër qëndrimit të shumicës së bashkëqytetarëve të tij.
Haradinaj ishte dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës, por edhe kjo nuk i linte përshtypje asaj.
Thoshte se nuk ka pasur alternativa të tjera.
Për të, Haradinaj dhe Hashim Thaçi në atë kohë, ishin figura të “dhunshme”, dhe konsideronte se nuk janë e ardhmja.








