Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja Kundër Terrorizmit, ka falënderuar Kosovën për shpalljen terroriste të organizatës “Trupa e Gardës Revolucionare Islamike e Iranit(IRGC)”.
“Ne e falënderojmë Kosovën që qëndroi kundër terrorizmit dhe e shpalli IRGC-në organizatë terroriste”, shkroi në X, Departamenti Amerikan i Shtetit.

Më 20 prill, Qeveria e Kosovës e ka shpallur si organizatë terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është një forcë ushtarake me bazë ideologjike që u formua pas Revolucionit të vitit 1979, me qëllim mbrojtjen e regjimit klerikal në Teheran. Ky institucion ka ndikim të madh në ekonominë iraniane, duke kontrolluar ose zotëruar kompani në sektorë të ndryshëm strategjikë.
Disa shtete tashmë e kanë klasifikuar IRGC-në si organizatë terroriste, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njëjtë veproi edhe Bashkimi Evropian, pas shtypjes së ashpër të protestave antiqeveritare nga autoritetet në Iran në fillim të vitit 2026.









