Jahir Sumiqi, Kryesues i PDK-së në Qendrën e numërimit në Mitrovicë, ka thënë se prokurori i rastit ka bërë presion që të rifillojë procesi i numërimit të votave në Mitrovicë, përkundër se u gjetën fletëvotime nga klasa e shkolla tjera.

“Prokurori në momentin që ka ardh ka thënë që asgjë nuk është e jashtëzakonshme dhe se procesi mund të vazhdojë normal, duke na bërë presion, duke qenë presion i njëanshëm në atë mënyrë që ne të vazhdojmë”, tha Sumiqi.

Mirëpo, ai tregoi se “ne kemi refuzuar që të vazhdojmë”, për shkak se, siç thotë ai, “ne nuk do ta shkelim ligjin në asnjë mënyrë”.

Sumiqi tregoi edhe se si kanë reaguar kur kanë gjetur fletëvotime që kanë qenë nga klasat dhe shkollat tjera.

“Pas gjetjeve që i kemi pasur në kuti, fletëvotimet që kanë lëvizur nga klasa në klasë dhe nga shkolla në shkollë, e kemi lajmëruar edhe Policinë e Kosovës. Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes, kemi dhënë të gjithë intervista për Policinë. Policia e ka lajmëruar hetuesinë, pastaj hetuesia e ka thirr prokurorin e rastit”, shtoi.