Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po zhvillohet në Hagë, nuk mund të kthehet në padrejtësi historike.

Këto komente, Spiropali i ka bërë të enjten në Shkodër, në ceremoninë e organizuar nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, për nder të 113 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Shqipëria në këtë 28 nëntor qëndron qartë në krahët tuaj dhe sot gjyqi në Hagë jo vetëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por një gjyq që duket po nxjerr në tribunë edhe vetë luftën e Kosovës, nuk mund të kthehet në një padrejtësi historike, dhe viktima nuk mund të shndërrohet padrejtësisht në agresor dhe agresori në viktimë”, tha ajo.