Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se çarja në mes të Vetëvendosjes dhe ish-Presidentes Vjosa Osmani, ka ndodhur në vitin 2024, duke iu referuar fjalimit të saj në Kuvend, ku kishte folur për luajtjen bixhoz me aleancat, duke aluduar në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
“Është fjalimi i saj, në dhjetor 2024, aty mu ka dukur që Vjosa Osmani e ka bërë një ndarje prej..”, tha Konjufca në Debat Plus, për t’u pyetur nga drejtuesi i emisionit nëse po fliste për deklaratën për bixhozin.
“Po pra, për deklaratën e saj, e cila ka qenë një goditje e hapur publike ndaj Qeverisë. Ajo ishte reflektim i vitit 2024, sepse vitet 2022 dhe 2023 kanë shkuar më mirë me të në bashkëpunim”, deklaroi Konjufca.
Ai insistoi se rrugët me Osmanin ishin ndarë në vitin 2024, por përkundër kësaj theksoi se VV-ja i fitoi edhe dy palë zgjedhje.
“Kryeministri, sidomos zëvendëskryeministrja kanë, nëse kanë detaje me nda dhe e konsiderojnë të dobishme për opinionin publik, ata mund të ndajnë shumë më shumë se ku ishte ai momenti i thyerjes me Vjosa Osmanin dhe cilat ishin ato fushat e rëndësishme në të cilat Vjosa Osmani filloi të kishte mendime të ndryshme sa i përket ecjes përpara të shtetit tonë. Edhe këto më duket se u thelluan sidomos pas vitit 2024. Fjalimi i saj në vitin 2024 është refleksion i asaj që po e them unë që faktikisht rrugët ishin ndarë”.
“Por duhet ta kuptoni që edhe ajo që është esenciale për mendimin tim, dua ta ndaj me juve, pas kësaj ajo ia bëri me dije qytetarëve që e godet Qeverinë dhe që nuk është më me të njëjtin mendim me Qeverinë, pas atij momentit kur u bë e ditur për qytetarët, VV-ja i fitoi dy palë zgjedhje pas atij konstatimi edhe kështu që ma merr menja që mesazhi që qytetarët e dhanë përmes votës së tyre edhe në shkurt të vitit 2025 por edhe në dhjetor ishte që faktikisht fuqia e asaj që u arrit ishte përmes Vjosa Osmanit e cila iu bashkua anijes së ndryshimit, e jo e kundërta, siç po ndodh tash”.
Kjo, mendon ai që mundet me u rrumbullakësu “fillimin, ndarjen” me Osmanin.
“Pastaj dy palë zgjedhje të fituara nga VV me rezultat goxha impresiv, janë fitore me qytetarët që kur kanë shkuar te kutia e votimit e kanë ditë që Vjosa Osmani i ka ndarë rrugët me VV”.









