“Në indeksin e perceptimit të korrupsionit, kemi nivelin më të ulët në rajon”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Euronews”.

E pyetur se si do ta vlerësonte progresin e Kosovës drejt përputhjes me standardet e BE-së dhe zbatimit të reformave më urgjente, ajo theksoi se vendi që udhëheqë “aktualisht është 100% e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”.

“Çdo vendim i vetëm në këto fusha është plotësisht i harmonizuar, qoftë për sanksionet ndaj Rusisë apo ndaj kundërshtarëve të tjerë të botës perëndimore dhe asaj që përfaqëson sot Bashkimi Evropian”, potencoi Osmani.

Sa i përket vlerave, Presidentja pohoi se Kosova është gjithashtu plotësisht në linjë me Unionin.

“Sa i përket reformave në sundimin e ligjit, ne jemi ndër vendet udhëheqëse. Dhe bazuar në indekse ndërkombëtare, si Gallup International, që u publikua së fundmi, Kosova është në fakt e para në Evropë për nga indeksi i sundimit të ligjit. Ajo kryeson të gjitha vendet evropiane dhe është e treta në botë sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit”.

Kjo, deklaroi Osmani, “ka qenë prioriteti kryesor i institucioneve tona”. “Dhe aktualisht, në indeksin e perceptimit të korrupsionit, kemi nivelin më të ulët në rajon”, shtoi ndër të tjera.