Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë “nuk ka krizë ekonomike”, prandaj, sipas tij, “nuk ka protesta të qytetarëve”.

Këto komente, Kurti i ka bërë në fjalën e tij në seancën e Kuvendit për buxhetin, të cilën e ka bojkotuar opozita, pasi që po e konsiderojnë të paligjshme.

“Në Kosovë nuk ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike në çerekun  dytë sivjet ka qenë 4.58 për qind të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha kryeministër, e tash sa jam kryeministër në detyrë, asnjëherë rritja ekonomike nuk ka qenë nën 4 për qind”, tha Kurti.

Rritja mesatare ekonomike, sipas tij, “është 6 për qind, prandaj edhe nuk ka protesta të qytetarëve, por ka vetëm ankesa të opozitarëve”.

“Në Kosovë nuk ka krizë ekonomike. Po rrezikojmë të kemi krizë sociale nga kriza buxhetore e financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave. Le të mos keqpërdorim procedura, le të jemi në nivel të përgjegjësisë që kemi si përfaqësues të popullit, por edhe si zyrtarë të shtetit”, shtoi.