Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, i cili tha se dënimet e fundit në Hagë kanë të bëjnë me “krime individuale” dhe nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë, sovranitetit apo të drejtës së Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj.

Në komunikatë, PDK-ja e ka cilësuar këtë deklaratë si “një reduktim të papranueshëm diplomatik” të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas PDK-së, në arsyetimin e Dhomave të Specializuara, UÇK-ja trajtohet në kuadër të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë shpallur përgjegjës, sipas konstatimeve të aktgjykimit, për kontributin e tyre në qëllimin e përbashkët kriminal të pretenduar në aktgjykim.

“Prandaj, të thuash se bëhet fjalë për ‘krime individuale’ nuk e pasqyron peshën e dëmshme të këtij verdikti për Kosovën”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Partia ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, po interpretohet lufta e UÇK-së dhe historia e Kosovës, duke deklaruar se “asnjë gjuhë diplomatike” nuk mund ta ndryshojë përmbajtjen dhe pasojat e aktgjykimit.