Normaliteti dhe kompromisi e kanë braktisur Kosovën që nga viti 2014.
E kanë braktisur edhe njerëzit.
Qindra mijëra qytetarë, e lanë Kosovën në dekadën e fundit, me shumë gjasë për të ikur nga kjo kënetë ku është futur përmes makinacioneve politike të pambarimta.
Që kur nisën krizat e mëdha, në vitin 2014 e deri më sot, shumë politikanë për arsye të ndryshme nuk janë më në skenë.
Por figura kryesore, me historinë politike me cikle të vazhdueshme të konfliktit kundër kompromisit, edhe përmes dhunës në rrugë e institucione, Albin Kurti, është tash në kulmin e fuqisë së tij popullore.
Megjithatë, edhe në këto rrethana po gatuan një krizë të re.
Duke refuzuar kategorikisht kompromisin për presidentin, duke imituar metodat e veta, por në rrugë të ndryshme e me një armik të ri, aleaten më të fortë që kishte, Vjosa Osmanin, Kurti po e fut Kosovën në një traumë të re politike, vetëm dy muaj pasi doli nga më e gjata që përjetoi ndonjëherë, ajo me Kuvendin dhe Qeverinë gjatë gjithë vitit 2025.
Në vitin 2014, Kosova përjetoi një bllokadë institucionale për 6 muaj. Kurti nxiti dhe ushqeu një bllok kundër fituesit të zgjedhjeve, Hashim Thaçit. Palët do të përplaseshin me interpretime politike e juridike për të drejtën për të udhëhequr Kuvendin e Qeverinë.
Ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës e zhbllokoi situatën dhe i hapi rrugë një koalicioni të madh mes Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.
Por as kjo nuk do të siguronte stabilitetin e normalitetin.
Sepse aty ishte Kurti dhe aleatët e tij, që dikur i kishte armiq politikë, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.
Në vitet 2015 dhe 2016, opozita e udhëhequr nga Albin Kurti e shndërroi Parlamentin në një fushë beteje politike nga ku do të dilte tym që do të pushtonte ekranet e mediave ndërkombëtare.
Gazi lotsjellës në Kuvend, kokteji molotovi e gurët në rrugët e Prishtinës u hodhën si mjet politik gjoja për të kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Opozita asokohe, po me gaz lotsjellës e gurë, do ta kundërshtonte edhe zgjedhjen e Hashim Thaçit president.
Ky cikël, në vitin 2017, do të shkaktonte rrëzimin e Qeverisë Mustafa dhe zgjedhjet e reja që sollën në krye të ekzekutivit Ramush Haradinajn. Përbërja e atij Kuvendi do ta miratonte Demarkacionin me Malin e Zi edhe me votat e një pjese të atyre që dikur e kundërshtonin me protesta.
Kjo qeveri e brishtë, që u përplas me aleatët ndërkombëtarë për një taksë kundër mallrave serbe, do të rrëzohej në verën e vitit 2019 dhe nga zgjedhjet e asaj kohe qeverinë do ta formonin armiqtë e dikurshëm, Albin Kurti dhe Isa Mustafa.
Por vetëm rreth 50 ditë do të zgjaste bashkëjetesa mes tyre. Kurti si Kryeministër, vetëm për një mendim të Ministrit Agim Veliu pro gjendjes së jashtëzakonshme në kohë pandemie, do ta shkarkonte atë dhe kjo do të çonte në rrëzimin e të gjithë Qeverisë.
Ish kandidatja për kryeministre e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ishte zgjedhur Kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani do të rreshtohej me Kurtin kundër një qeverie të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së në koalicion me AAK-në dhe Nismën.
Në vitin 2020, një aktakuzë nga Gjykata Speciale do të trondiste skenën politike dhe të gjithë Kosovën, pasi katër figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të paraburgoseshin në Hagë për t’u përballur me një gjykim tash e 5 vjet me akuza që kriminalizojnë krejt UÇK-në.
Skena politike do të dukej ndryshe nga ai moment, por vetëm për nga fytyrat e jo nga sjellja.
Karshi kësaj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të konstatonte se qeveria e Avdullah Hotit ishte antikushtetuese dhe në vitin 2021, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të garonin bashkë për të fituar 50% të votave.
Të dy kapën postet kryesore në vend dhe për pesë vjet drejtuan të sinkronizuar vendin duke i shërbyer interesave politike të njëri-tjetrit.
Tregimi për protestat e dhunshme në rrugë e Kuvend kundër Asociacionit të Komunave Serbe, do të dukej si një përrallë, pasi vetë Kurti do të nënshkruante marrëveshje me Serbinë me asociacion brenda, madje me kompetenca edhe më të mëdha se ai të cilin e kundërshtonte.
Kur ndoshta dukej se krizat pushuan, ato nuk i harron Kurti.
Viti 2025 do të ishte një vit i humbur për Kosovën. Vetëvendosje, duke refuzuar kompromisin, pasi kishte shënuar rënie në vota dhe s’kishte numrat e mjaftueshëm në Parlament, do të provonte përmes metodave antikushtetuese të zgjidhte Kryetarin e Kuvendit dhe një nënkryetar.
Qëllimi ishte i qartë. Zgjedhje të reja.
Dhe kështu edhe ndodhi. Skema e viktimizimit, konfliktit dhe fajësimit të të tjerëve, Kurtit, në bashkëpunim edhe me Vjosa Osmanin, i dha rezultate duke e ringritur Vetëvendosjen në 51% të votave.
Pak më shumë se dy muaj nga ato zgjedhje që shënuan fundin e një krize të thellë politike, Kosova po hyn në bllokadën tjetër dhe sërish është Kurti kuzhinieri i saj. Refuzimi për të bërë kompromis për postin e presidentit, përmes një figure konsensuale, shpallja e frontit të ri kundër Vjosa Osmanit, e kanë futur vendin në një labirint tjetër të debateve e makinacioneve politike që me gjasë do të na çojnë në zgjedhje të reja.
Dhe krejt kjo po ndodh në një kohë kur bota ka hyrë në konflikte ushtarake që po cenojnë sigurinë dhe ekonominë globale.
Po ndodh në një kohë kur Kosova po përballet me krizën e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë, të rrymës, të mungesës së fuqisë punëtore dhe ikjes së shumë bizneseve vendore për më shumë stabilitet diku tjetër.
Kosova u ndërtua si shtet mbi sakrifica, mbi ideale te forta e te shëndosha për liri e demokraci. U ndërtua edhe me mbështetje të fortë nga Perëndimi. Por sot, për faj të vetin, po e humb normalitetin, zhvillimin dhe stabilitetin. Dhe më e keqja është se duket sikur askush nuk e ka përgjigjen, dhe as guximin, për ta nxjerrë vendin nga kjo kënetë politike.








