Jemi më 2 prill të vitit 2020. Pak ditë pasi kishte marrë pozitën, kryeministri atëbotë i ri i vendit, Albin Kurti, paraqitej në ambientet e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të drekuar bashkë me ushtarët.
Do të shihej si shenjë shprese, se problemet e pjesëtarëve të FSK-së tanimë kishin vëmendje e zgjidhje.
Koha kaloi me Kurtin në pushtet, e gjendja vetëm sa degradoi. Për vite me radhë, FSK-në braktisën qindra ushtarë.
Kurti, tash shfaqj në ambientet e FSK-së vetëm kur ndërronin motmotet apo për ndonjë datë të shënuar.
Vetëm vitin e kaluar, siç gjeti raporti i Auditorit, shteti u mbeti borxh ushtarëve plot 2 milionë e 869 mijë euro për orët shtesë që s’ua pagoi.
Për 11 muaj rresht, orët e kujdestarisë u mbajtën – e djersa e pjesëtarëve të FSK-së shkoi huq.
Shtetin që po i shërbejnë e ruajnë, ushtarët u detyruan ta padisin për t’i marrë mjetet që u takojnë
Por, orët përtej orarit nuk ishin telashet e vetme.
As çizmet, që kryeministri thoshte se ishin dyfishuar, në fakt nuk ishin siguruar.
Për vite me radhë, siç tregon ky raport i Auditorit në vitin 2024, pjesëtarët e FSK-së ishin lënë pa këpucë të reja.
Vonoheshin edhe uniformat për kadetë.
U vihej në dyshim edhe ushqimi.
Por këto problematika më s’ishin në plan të parë për të parin e Qeverisë, kryeministrin Albin Kurti.
Sa herë që vinte fushata, fliste se si e ka modernizuar ushtrinë, ka blerë armatim, e po planifikon fabrikë municionesh.
Në realitet, siç dëshmojnë vetë dokumentet zyrtare, edhe pas shumë kërkesave, shteti po refuzonte t’ua jepte hakun që u takon pjesëtarëve të Ushtrisë.








