David Attenborough tani ka jetuar në Tokë për një shekull të tërë.
Gjatë kësaj kohe, ai ka udhëtuar nëpër pyje dhe oqeane, ka krijuar lidhje me një familje gorillash, ka mbledhur fosile, ka vizituar fise të izoluara, ka mbikëqyrur transmetimet e para televizive me ngjyra në Evropë, ka qenw narrator dokumentarësh frymëzues për qindra miliona shikues, ka marrë shumë çmime, dhjetëra specie janë emëruar sipas tij dhe ka ngritur alarmin për ndryshimet klimatike.
Këto janë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së jashtëzakonshme dhe plot aktivitet të transmetuesit të njohur ambientalist, i cili e ka kaluar jetën mes njerëzve, kafshëve dhe bimëve.
Princ, princeshë dhe një papagall

Personaliteti televiziv zhvilloi stilin e tij karakteristik — me humor të butë, ngrohtësi dhe kuriozitet — në serinë e famshme “Zoo Quest” të vitit 1954, e cila e bëri figurë të njohur. Në vitin 1958, Attenborough ua prezantoi një kakadu 3-vjeçar me emrin Cocky, të cilin e kishte kapur gjatë ekspeditës së fundit të “Zoo Quest”, anëtarëve të vegjël të familjes mbretërore britanike: princit të ri Charles dhe Anne, Princeshës Mbretërore.
Duke kujtuar atë përvojë në një intervistë për BBC para kurorëzimit të Charles në vitin 2023, Attenborough tha se kakaduja ishte ulur në dorën e princit dhe se kafsha kishte “një sqep shumë të fuqishëm dhe një kafshim shumë të fortë. Edhe pse isha mjaft i sigurt për Cocky-n, ai në fakt mund t’ia kishte këputur gishtin e vogël Charles-it”.

Karriera e Attenborough në BBC vetëm sa mori hov më pas dhe ai u bë drejtues i kanalit të sapohapur BBC 2 në vitin 1965. Ai nisi një sërë produksionesh novatore, duke prezantuar madje edhe serialin komik të pazakontë “Monty Python’s Flying Circus.”
Më pas, shërbeu si drejtor i programeve televizive nga viti 1968 deri në 1972, përpara se të jepte dorëheqjen për t’u përqendruar në krijimin e programeve të veta televizive.
Kontakti i parë me fisin Biami

David Attenborough komunikon me anëtarë të fisit Biami në Guinenë e Re gjatë dokumentarit të BBC-së të vitit 1971, “A Blank on the Map”. BBC.
Gjatë një ekspedite në një zonë të largët të Guinesë së Re, e transmetuar në vitin 1971, Attenborough dhe ekipi i tij i BBC-së vendosën kontakt me fisin Biami, i panjohur më parë. Attenborough komunikoi me ta përmes gjesteve, vëzhgoi zbukurimet e tyre personale dhe pyeti për kunjat e vendosura në shpimet rituale në hundën e njërit prej burrave.
Duke reflektuar mbi atë moment në një intervistë me Christiane Amanpour të CNN në vitin 2016, Attenborough tha: “Është diçka e jashtëzakonshme. Është befasuese sa elokuent mund të jesh me dikë që nuk njeh asnjë fjalë të gjuhës tënde, ose madje nuk ka takuar më parë njerëz si ti.”
Lidhja me një “gorillë të vogël të veçantë”

David Attenborough krijoi një lidhje të veçantë me një grup gorillash malore që i takoi në Kenya gjatë viteve 1970. BBC.
Prezantuesi karizmatik jo vetëm që shkonte mirë me njerëzit, por arriti të miqësohej edhe me një familje gorillash në pyjet e maleve Virunga në Ruandë. Gjatë xhirimeve të “Life on Earth” në vitin 1978, një gorillë 3-vjeçare me emrin Pablo krijoi simpati për Attenborough dhe u shtri me lojë mbi të.
Ajo skenë preku zemrat në mbarë botën dhe më vonë çoi në “një nga historitë më të mëdha të suksesit në ruajtjen e natyrës që kam parë ndonjëherë”, tha Attenborough në filmin e prillit 2026 “A Gorilla Story”, ku ai tregon historinë e të njëjtit grup gorillash nga vitet 1970 deri në ditët e sotme. Ai shtoi se lidhja e tij me gorillat është “një lidhje që ka mbetur me mua gjithë jetën. Dhe gjithçka filloi me një gorillë të vogël të veçantë.”
“Bisedë” me një rinoceront të vogël

Dëshira e natyralistit për të krijuar kontakt me kafshët që vëzhgon shihet edhe në ndërveprimin e tij me një rinoceront të vogël të verbër në Lewa Wildlife Conservancy në Kenia, në episodin e gjashtë të dokumentarit të BBC-së “Africa” të vitit 2013.
Pasi rinoceronti iu afrua gjatë xhirimeve, Attenborough u ul në katër gjymtyrë, e pa kafshën në fytyrë dhe nisi të shkëmbente tinguj me të. Më pas ai e përshkroi rinocerontin si “një krijesë magjepsëse.”
Fëmijëria në kampus

Attenborough dhe vëllai i tij, aktori dhe producenti i ndjerë Richard Attenborough, u rritën në kampusin e Universitetit të Leicester-it në Britani, pasi babai i tyre ishte drejtues aty.
Sipas universitetit, Richard Attenborough dikur me shaka e mbylli vëllain e tij në një dhomë të izoluar me jastëkë në një ndërtesë të kampusit që dikur kishte qenë azil psikiatrik viktorian.
Në vitin 2006, universiteti u dha vëllezërve nderimin e tij më të lartë, titullin “Distinguished Honorary Fellowships”.
Çmime për planetin

Puna e Attenborough mori famë globale në vitet 2000, pasi ai eksploroi oqeanet e botës në “The Blue Planet”, si edhe jetën e egër në ujëra, pyje, shpella, male dhe zona të akullta në “Planet Earth”.
Popullariteti i programeve të tij frymëzuese për natyrën i solli atij tre çmime Emmy — i pari në vitin 2018 për Narratorin Më të Mirë për “Blue Planet II.” E njëjta seri i solli edhe një çmim BAFTA.
Nderim mbretëror

Attenborough u shpall kalorës për herë të parë nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II në vitin 1985 për shërbimet e tij në transmetimet televizive. Mbreti Charles III i dha atij një titull të dytë kalorësiak – Knight Grand Cross — në vitin 2022 për kontributin në televizion dhe ruajtjen e natyrës.
Sipas Guinness World Records, Attenborough ka karrierën më të gjatë si prezantues televiziv, që shtrihet për më shumë se shtatë dekada. Së bashku me William, Princin e Uellsit, ai ndihmoi në krijimin e Earthshot Prize në vitin 2019, një çmim që vlerëson zgjidhjet novatore për mjedisin.

Mik i kurorës
Attenborough kishte një miqësi të gjatë me Mbretëreshën Elizabeth. Ai prodhoi disa nga transmetimet e saj të Krishtlindjeve dhe monarkja ndihej mjaftueshëm rehat për të bërë shaka me të gjatë një shëtitjeje në kopshtin e Pallatit Buckingham për një dokumentar televiziv të transmetuar në vitin 2018.
“Mendoj se gjëja më e çmuar ishte ta dëgjoja duke qeshur”, tha Attenborough për Mbretëreshën në një intervistë për ITV News pas vdekjes së saj në vitin 2022.
Zëri i Attenborough bëri debutimin në Netflix me “Our Planet” në vitin 2019. Edhe një herë, narracioni i tij për serinë me tetë episode – që përdorte pamje mahnitëse dhe tregonte histori dramatike të kafshëve që përshkojnë botën natyrore – fitoi një Emmy.
Në premierën e serialit në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër, Princi Charles i bëri homazh Attenborough “për gjithçka që ka bërë gjatë kaq shumë viteve për të sjellë në vëmendjen tonë mrekullinë, magjepsjen dhe gjithnjë e më shumë gjendjen e dëshpëruar të botës natyrore”.









