Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot, e enjte, do t’i takojë liderët e partive politike në vend për të diskutuar caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Takimi mbahet në ora 10:30, ndërsa pritet që të gjithë liderët e partive të marrin pjesë.

Ky takim vjen një ditë pasi që mandatari i dytë i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në seancën e së mërkurës dështoi që t’i merr 61 vota për t’u bërë Kryeministër. Konjufca dhe kabineti që ai prezantoi mori 56 vota për, 53 kundër dhe 4 abstenime.

Konjufca ishte mandatari i dytë i VV-së që dështoi në formimin e Qeverisë. Të njëjtin fat e kishte pasur edhe Albin Kurti më 26 tetor. Kurti kishte marrë 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime.

Me këto dy dështime për formimin e Qeverisë është hapur rruga për zgjedhje të reja parlamentare. Në këtë drejtim, krerët e partive politike kanë kërkuar nga presidentja që sa më parë ta caktojë datën e zgjedhjeve.