Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar partitë politike në takim të enjten në ora 15:00, për të diskutuar lidhur me datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Në orën 15:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu pret në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar që ta zgjedhë Presidentin dhe kështu vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Data e fundit kur mund të mbahen zgjedhjet është 7 (shtatë) qershori, datë që u kërkua edhe nga Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Seanca për zgjedhjen e Presidentit që nisi të hënën e vazhdoi deri të martën, dështoi për shkak të mungesës së kuorumit.