Një roman më parë i panjohur, i një prej gazetarëve më me ndikim të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, që përshkruan shpirtin e gjallë por të brishtë të ditëve të fundit të Republikës së Vajmarit, është botuar së fundmi në Gjermani, pasi fëmijët e autorit e zbuluan dorëshkrimin e shkruar me dorë në tavolinën e tij.
Më shumë se nëntëdhjetë vjet pasi e kishte shkruar, romani “Abschied” (“Lamtumira”) i Sebastian Haffner është ngjitur në krye të listës së bestsellerëve të Spiegel që nga publikimi i tij në fillim të këtij muaji.
Haffner, i cili iku nga Berlini nazist më 1938 bashkë me të fejuarën e tij hebreje, u bë menjëherë i njohur në vitin 1940 me veprën e tij klasike “Gjermania: Jekyll dhe Hyde”. Thuhet se Winston Churchill u kërkoi anëtarëve të kabinetit ta lexonin për të kuptuar rrezikun nazist.
Haffner, që ndryshoi emrin në Britani nga Raimund Pretzel për të mbrojtur familjen e mbetur në Gjermani, punoi si gazetar në Londër për Observer. U konsiderua si një nga analistët më të thellë të nazizmit dhe rrugës që çoi Hitlerin në pushtet. Ai u kthye në Berlin si korrespondent në vitin 1954 dhe më pas u bë një kolumnist i njohur për revistën Stern.
Djali i tij, Oliver Pretzel, sot 86 vjeç, tha se familja kishte vite që debatonte nëse duhej apo jo ta botonte “Lamtumira”, pas vdekjes së babait të tyre në Berlin, në moshën 91-vjeçare, në vitin 1999. Ata kishin frikë, tha ai, se romani, një histori dashurie, mund të dukej i lehtë në peshë dhe të errësonte reputacionin madhështor të Haffnerit si komentues politik e historik.
“Motra ime mendonte se romani nuk ishte edhe aq i mirë,” i tha ai gazetës Süddeutsche Zeitung. “Edhe unë fillimisht ndaja të njëjtin mendim. Por kur e rilexova dhe nisa ta përktheja në anglisht, papritmas kuptova sa mjeshtërisht është ndërtuar.”
Fatmirësisht, edhe kritika duket se e ka mirëpritur. Në Gjermani, libri 181-faqësh është cilësuar si “një thesar letrar”, “tekst jashtëzakonisht i rrjedhshëm, i lehtë dhe i gjallë”, dhe “një libër i bukur me shkëlqim rinor dhe ndikim të madh emocional”.
Veprimi zhvillohet në ditën e fundit të një qëndrimi dy-javor në Paris të protagonistit dhe të dashurës së tij, Teddy, pak përpara se ai të rikthehet në një Berlin të përfshirë nga frika dhe pasiguria politike në rritje. Romani është përshkruar nga kritika Marie Schmidt si “tmerrësisht i kthjellët”.
Ajo shton se romani pasqyron të njëjtën “ndjeshmëri historike që mahniti dhe fascinoi botën” edhe në veprën tjetër të Haffnerit të botuar pas vdekjes së tij, “Historia e një gjermani”. Ky libër, i shkruar në vitin 1939, u botua për herë të parë në gjermanisht në vitin 2000, dhe në anglisht me titullin “Duke sfiduar Hitlerin” në vitin 2002. Ai u vlerësua për analizën e tij të kthjellët dhe ndihmoi në rrëzimin e pretendimeve të bashkëkohësve të Haffnerit se “nuk e kishin ditur” për krimet naziste.
“Jekyll dhe Hyde” u botua për herë të parë në Gjermani në vitin 1996 me titullin “1939 – Gjermania e vëzhguar nga brenda”, dhe ashtu si “Lamtumira”, arriti gjithashtu në listat më të shitura.
Haffner ishte vetëm 24 vjeç kur e shkroi “Lamtumira” brenda disa javësh, në tetor dhe nëntor të vitit 1932, vetëm pak muaj përpara se nazistët të merrnin pushtetin. Përpjekjet për ta botuar atëherë dështuan.
Narratori i romanit, Raimund, është një avokat i ri që pi Gitanes Rouge dhe lexon Aldous Huxley. Në Paris, në pranverën e vitit 1931, ai njeh Teddyn, e cila ka lënë Berlinin pas, duke e përshkruar atë kohë si një epokë kur “kriza ende nuk ishte shpikur”.
Teddy besohet se është bazuar në Gertrude Joseph, një grua hebreje nga Vjena, me të cilën Haffner ishte i dashuruar. Në “Historia e një gjermani”, ai përshkruan se si ajo u kthye për herë të fundit në Berlinin nazist në verën e vitit 1933, duke sjellë me vete “një ajër që mund të thithej dhe që e thithje me etje”. Raimund në roman përshkruan parandjenjën e rëndë për t’u kthyer në “një Berlin të ftohtë”.
Haffner dhe Joseph, e cila përfundoi në Suedi, ruajtën kontaktet deri në fund të jetës. Njëzet letra të tij për të u gjetën ndër sendet e saj personale pas vdekjes.
Në një epilog të romanit, kritiku letrar Volker Weidermann shkruan se frika e familjes për botimin ishte e pabazë.
“‘Lamtumira’ e plotëson mozaikun historik që Haffner na ka paraqitur në veprat e tij historike, sepse përshkruan shkakun themelor të dhimbjes mbi të cilën mbështeten librat e tij të mëvonshëm – gjithçka që u humb nga Gjermania e mirë: kozmopolitizmi, toleranca dhe njerëzimi. Vetë Haffner theksonte vazhdimisht se historia zhvillohet përmes tregimeve personale, të vogla, që së bashku formojnë historinë e madhe botërore. Me ‘Lamtumira’, ai ka vendosur këtë ide themelore.”
Një botim në anglisht i romanit “Parting”, i përkthyer nga Oliver Pretzel, pritet të botohet nga shtëpia botuese Weidenfeld & Nicolson.