Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takimin me ish-Presidenten, Vjosa Osmani, ka thënë se “ishte darkë miqësore mes dy miqsh”. Para mediave, Abdixhiku deklaroi se ky takim “nuk është as i pari e as i fundit”.
“Ishte një darkë shumë miqësore mes dy miqsh. As e para, as s’do të jetë fundit edhe shumë shpejt do të vijmë me lajme shumë të mira”, tha Abdixhiku.
Ndërkaq, ish-Presidentja, Vjosa Osmani, deklaroi se takimi me Abdixhikun, ishte thjeshtë “kafe mes miqsh”.
Abdixhiku e Osmani u takuan sot (e enjte, 30 prill) në një restaurant në periferi të Prishtinës. Takimi i tyre vjen në ditën që u caktua data e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të mbahen më 07 qershor.
Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës thanë se në takim janë diskutuar modalitetet që Vjosa Osmani të garojë bashkë me këtë parti në zgjedhje.








