Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovës, Aivo Orav, ka thënë se statusi i strukturave paralele serbe të arsimit dhe shëndetësisë është larg nga të qenit plotësisht i përcaktuar, pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me vendimin e tij për njohjen e dokumenteve ilegale serbe po punohet drejt integrimit të këtyre strukturave në sistemin e Kosovës.
“Sigurisht që ne duam që shëndetësia, arsimi dhe të gjitha ato struktura të mbijetojnë. E përsëris, këto janë aktualisht struktura paralele dhe statusi i tyre duhet të zgjidhet përmes dialogut. Sigurisht që një ditë do të ketë një zgjidhje. Ajo ditë nuk është shumë afër sepse procesi kërkon kohë, është një çështje shumë e vështirë dhe komplekse”, ka deklaruar kryediplomati në largim Orav në një intervistë të përgjithshme për gazetarë.
Dy ditë më parë, Kurti tha se “strukturat e tjera ilegale të Serbisë, sikurse ato të sigurisë, pastaj të financave, të administrimit nuk ekzistojnë më në Kosovë. Kanë ngelur edhe arsimi dhe shëndetësia. Ato do t’i inkorporojmë, por që ta bëjmë këtë është e domosdoshme që njëherë të kemi listën e të gjithë mësimdhënësve, të gjithë mjekëve, infermierëve të cilët punojnë në këto struktura në sistemin arsimor”.
Një ditë para fillimit të implementimit të Ligjit për të Huajt, pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Peter Sorensen, Emisar i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, u bë e ditur se ekzekutivi i Kosovës ka vendosur të lirojë qytetarët serbë në Kosovë nga obligimet që rrjedhin prej ligjit, duke u mundësuar leje qëndrimi dhe pune edhe për 12 muaj si dhe duke ua njohur dokumentet e institucioneve të tyre paralele për t’u faktuar në regjistrin civil te Kosovës.
Këtë vendim, zyrtarë të partisë në pushtet u përpoqën ta racionalizonin duke thënë se kjo fazë është tranzicionale dhe se nëpërmjet saj do të mundësohet inkorporimi i strukturave ilegale serbetë arsimit dhe shëndetësisë në sistemin arsimor dhe shëndetësor të Kosovës.









