Policia ka njoftuar se ka arrestuar 14 kryesues e anëtarë komisionesh për numërimin e votave në Gjilan, nën dyshimin se të njëjtit kanë falsifikuar rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
“Qendra Komunale e Numërimit dhe Rezultateve zgjedhore, Gjilan 29-30.12.2025 – 01-02.01.2026. Më 13.02.2025 në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar dhe intervistuar 14 persona të dyshuar, kryesues dhe anëtarë të komisioneve numërues të QKN-Gjilan, me dyshimin se me datat e lartcekur gjatë numërimit dhe regjistrimit të rezultateve dyshohet se kanë falsifikuar rezultatet zgjedhore”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë
Të gjithë të arrestuarit, pasi janë intervistuar, janë liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.
“Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thekson policia në raportin 24-orësh të saj.
Procesi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë është karakterizuar me dallime të shumta në vota mes kandidatëve brenda partive. Veç efektit politik; rinumërimit të votave, shkeljet kanë nxitur edhe veprimin e prokurorive të disa rajoneve. Qindra komisionerë e vëzhgues janë arrestuar e intervistuar për dyshime për manipulim të rezultatit.









