Në mes të ditës, në zyrat e kompanisë “Onima” në lagjen Veternik të Prishtinës, shfaqet Besart Kelmendi, i njohur për publikun si “Gjesti”.
Në dorë mban një revole.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ai hyn në objekt duke kërkuar pronarin e kompanisë, Erkand Shabanin. Kur kupton se ai nuk ndodhet aty, fillon t’ia demolojë pajisjet e zyrës. Vazhdimisht, të ekspozuar mban armën pa leje.
Sipas Prokurorisë, kërcënon se po sa do ta takojë Shabanin, të njëjtin do ta vrasë.
Jo shumë kohë më herët, Kelmendi kishte kërcënuar Shabanin në prani të vajzës së mitur. Edhe këtu, Kelmendi paraqitej i armatosur.
Sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, mezi kishin ndërhyrë anëtarë të stafit për ta ndaluar.
VOX Kosova ka siguruar shkresat e lëndës për rastin në fjalë, në të cilat vërtetohet se Kelmendi ka pranuar edhe kërcënimet me armë në prani të stafit, e edhe demolimin e zyrëve.
“I kërkoj falje punëtorëve të ONIMA-s, pasi që i kam traumatizuar aty, poashtu i kërkoj falje të dëmtuarit pasi që gjithçka ka qenë në shenjë revolte”, thoshte Gjesti në Prokurori.
Edhe pse se kjo nuk ishte hera e parë që Kelmendi kishte punë me organet e drejtësisë, Prokuroria në rastin e tij kërkoi dy vjet burgim me kusht e 6 mijë euro gjobë për tri vepra penale: Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, Kanosje dhe Armëmbajtje pa leje.
Nëse Gjykata merr vendim sipas propozimit të organit të akuzës, Kelmendi nuk do të mbajë burg nëse brenda dy vitesh nuk kryen vepër tjetër në kundërshtim me ligjin.
E pavarësisht provave vizuale e pranimit të fajësisë, që i bën të qarta rrethanat e rastit – Gjykata nuk e ka thënë ende verdiktin e saj.









