Fillimisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes përfaqësueses së tyre Anu Prattipati, kishin kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e projektit të gazit amerikan. Më pas, këtë thirrje e ka mbështetur edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka bërë publike arsyen konkrete të refuzimit të këtij propozimi.

Më së keqi, U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, të enjten deklaroi se nuk i ka parë reagimet e përfaqësuesve amerikanë.

“Nuk e kam parë, nuk e kam parë. Më vjen keq, nuk e kam parë”, tha shkurt Haxhiu, pasi u pyet për thirrjet lidhur me projektin amerikan.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim për mosangazhimin e institucioneve të Kosovës në projektin rajonal të gazit të lëngshëm natyror, i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas saj, Kosova vazhdon të mbetet shumë e varur nga kapacitetet e vjetruara të prodhimit të energjisë, nga importet e mëdha të energjisë elektrike dhe nga një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm. Për këtë arsye, qasja në gazin natyror të lëngshëm amerikan shihet jo vetëm si mundësi energjetike, por edhe si zgjedhje strategjike për të ardhmen e vendit.

Oda Ekonomike Amerikane ka vlerësuar se Kosova duhet të ndjekë shembullin e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë janë zotuar të bëhen pjesë e kësaj infrastrukture strategjike energjetike.

Ndërkohë, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, në një editorial të publikuar më 4 qershor, ka bërë thirrje që Kosova t’i bashkohet këtij projekti. Ajo ka theksuar se vendi po varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët për furnizim me energji elektrike.

Sipas saj, Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për energji. Duke u referuar të dhënave të Doganës së Kosovës, ajo ka theksuar se në katër vitet e fundit Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro për importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje, me një rritje të ndjeshme të shpenzimeve vjetore.

“Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan”, ka shkruar ndër të tjera Prattipati.