Sipas Vetëvendosjes kjo kërkesë e Prokurorisë së Specializuar nuk përfaqëson drejtësi të paanshme. “Kjo nuk është një kërkesë neutrale për drejtësi, por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës”, thuhet në reagim. Lëvizja thekson se Serbia e Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë, ndërsa UÇK-ja ka qenë forcë çlirimtare që ka mbrojtur popullin shqiptar.

Në deklaratë nënvizohet se përmes këtij procesi po tentohet të gjykohet vetë lufta çlirimtare. “Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit”, vlerëson VV, duke shtuar se ky qasje “e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima dhe e paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim”.

VV argumenton se krimet kundër njerëzimit lidhen me aparate shtetërore dhe plane sistematike dhune, të cilat, sipas saj, UÇK-ja nuk i ka pasur kurrë. “Kriminalizimi i kësaj përpjekjeje është kriminalizim i vetë emancipimit”, thuhet më tej.

“Nuk ka se si të ketë pasur plane individuale për krime kundër njerëzimit, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë, në asnjë rrethanë, plane të tilla. Krimet kundër njerëzimit nuk janë veprime të izoluara, por kërkojnë aparat zbatues ose strukturë shtetërore dhe mekanizma sistematikë dhune. Asnjë njësi e UÇK-së nuk ka pasur ndonjëherë si synim, dhe as nuk ka vepruar, sipas një metode të tillë monstruoze.” thuhet në komunikatën e VV-së.

Në fund, Lëvizja VETËVENDOSJE! rithekson qëndrimin e saj se “çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit”.