Një grua 87-vjeçare, Maria Abascal, u bë simbol i një pakënaqësie qytetare që shpërtheu në Spanjë në fund të shtatorit. Nga 500 në 1,650 euro asaj iu rrit qiraja mujore e banesës në të cilën kishte jetuar për 70 vjet.
Largimi nga banesa, dhe vdekja e saj pas dy javësh, u bë simbol i protestave masive që shprehnin revoltë kundër kostos së lartë të banimit dhe jetesës.
Por Spanja nuk është e vetmja në këtë fillim vjeshte.
Në Francë, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë tash e disa ditë vlojnë protestat masive, që në qendër kanë zemërimin e studentëve për kushtet e rënda në arsim, duke u zgjeruar më pas në revoltë për koston e lartë të jetesës, të banimit, shërbimet e dobëta publike, korrupsionin qeveritar dhe kërcënimin e demokracisë.
Ajo çfarë i bashkon të gjitha këto shpërthime që nuk po ndalen është kërkesa për llogari nga pushtetet.
Natyrshëm, çudia vjen me qetësinë kosovare tash e sa vjet, vendin e dytë më të varfër në Evropë.
Kosova po paguan secilën herë fatura të rënda të një pushteti megaloman në propagandë e minimalist në akte.
Dy herë qytetarëve iu shtrenjtua çmimi i faturave të rrymës, qindra miliona euro të taksave shkojnë në import të energjisë nga kompani fantazmë e të lidhura me pushtetin, shëndetësia është në kaos nga keq-menaxhimi e mungesa e barnave esenciale, teksa tenderët për to pasurojnë kompanitë e afërta me partinë. Inflacioni është më i larti në Ballkan, kostoja e banimit është rritur çdo vit, infrastruktura është në gjendje kome në shumë projekte që s’po përfundojnë.
Për dy vjet vendi shkoi në disa palë zgjedhje nga papërgjegjësia e betejat për pushtet absolut, dhe qindra miliona euro të shtetit ishin mjeti për të diktuar rezultatin.
Nga e gjithë kjo, afër 200 mijë qytetarë kanë braktisur vendin në këto 6 vjet, teksa një qeveri që përfshihet në afera korruptive në energji, në rezerva shtetërore e tenderë, në vend se ta shtojë përgjegjësinë e llogaridhënien, e rritë arrogancën dhe e forcon kapjen e shtetit.
Çfarë tjetër duhet të ndodhë, që Kosova të kërkojë llogari, që në vend të entuziazmit e tifozërisë partiake, ta shprehë zemërimin për gjendjen e vet, për të ardhmen?








