Mbi 40% të punonjësve në administratën publike të Kosovës frikësohen se mund të mbesin pa punë për arsye politike nga regjimi i Albin Kurtit, sipas një ankete të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), cituar nga organizata The International Crisis Group.
Organizata joqeveritare “Crisis Group” në raportin e fundit për Kosovën, të cilin e ka titulluar “Kosova teston kufijtë e durimit të Bashkimit Evropian”, ka nxjerrë përfundimin se zyrtarët e administratës publike ndihen të lënë mënjanë e të pasigurt.
“Në qeverinë nacionale, zyrtarët ndihen mënjanë dhe të pasigurt. Edhe pse nëpunës civilë, ata ankohen se ministrat i shohin si mbetje nga qeverisjet e kaluara, të njollosur nga lidhja me politikanë që ishin në pushtet kur ata u punësuan fillimisht”, thuhet në raportin e kësaj organizate.
Në raport thuhet edhe se Kosova, së bashku me Maqedoninë e Veriut, ka pasur numrin më të madh të të anketuarve që kanë thënë se kanë frikë nga përjashtimi nga puna për motive politike në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Më shumë se 40% të të anketuarve që punojnë në administratën publike u kanë thënë studiuesve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë se kanë frikë nga përjashtimi nga puna për arsye politike, së bashku më Maqedoninë e Veriut, Kosova ka pasur proporcionin më të madh të punonjësve që kanë dhënë këtë përgjigje në Ballkanin Perëndimor”, shkruhet në analizë.
Jo vetëm, raporti ngre edhe shqetësimin se në masë të madhe zyrtarët pranojnë vendime politike të hartuara nga aktivistë partiakë dhe marrin vetëm udhëzime se si t’i bëjnë ato realitet.
Raporti për Kosovën u përfshi në publikimin e fundit periodik “Autumn Update” (në shqip: Përditësimi Vjeshtor) që organizata International Crisis Group e bën në kuadër të asaj që e quan “Watch List”, e që është një raportim analitik për vendet që kanë rrezik për eskalim konflikti ose kriza të reja.









