Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), e ka obliguar Bordin e Autoritetit të Konkurrencës (AKK) që të ndërmarrin veprime ligjore për ta trajtuar çështjen e pezullimit të Drejtorit të Përgjithshëm të AKK-së, Selajdin Beqa – i afërt me Vetëvendosjen – për shkak se i njëjti ka aktakuzë nga Prokuroria për sulm ndaj kolegut Shemsi Elezi, drejtor në Departamentin e Mbikëqyrjes së Tregut në AKK.
Bordi i AKK-së është obliguar që brenda 15 ditë të ndërmarrë veprime ligjore për këtë çështje.
“Obligohet Bordi i Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës, që në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të ndërmarrin veprime ligjore në kuptim të trajtimit të çështjes se pezullimit të Drejtorit të Përgjithshme si pasojë e rrethanave të krijuara më ngritje të aktakuzës… 18.03.2024”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.
Vendimi i KPMSHCK-së ka ardhur pas ankesës së Shemsi Elezit kundër Komisionit Disiplinor të Autoritetit të Konkurrencës, e cila e kishte pezulluar përkohësisht nga puna atë, ankesë që iu është aprovuar.
“Aprovohet si e bazuar ankesa më numër A.nr. 49/2026, e datës 15.01.2026, e parashtruar nga ankuesi Shemsi Elezi. Shfuqizohet Vendimi me Nr. T-54/25, i datës 18.12.2025 i Komisionit Disiplinor të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës, ndërsa, çështja kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje të organi i njëjti”, thuhet në vendim.

Aty është obliguar Komisioni Disiplinor i Autoritetit të Konkurrencës, që në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, të rishqyrtojë çështjen disiplinore të Elezit, “duke vepruar në pajtim më pikëpamjet juridike si në arsyetim të vendimit”.
Sipas Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, përkatësisht nenit 21, vendimi i këtij institucioni është vendim “administrativ i formës së prerë dhe zbatohet nga zyrtari i nivelit të lartë drejtues ose personi përgjegjës i institucionit që e ka marrë vendimin e parë ndaj palës”.
Në pikën tre të këtij neni, theksohet se “moszbatimi i vendimit të Këshillit nga personi përgjegjës i institucionit, paraqet shkelje të rëndë të detyrave të punës”.
Beqa, si drejtor i AKK-së, brenda hapësirave të institucionit ku punon, e kishte sulmuar fizikisht kolegun Elezi. Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Beqajt për sulm fizik.
“I pandehuri me dashje që të i shkaktoj lëndim trupor personit tjetër tani të dëmtuarit Shemsi Elezi i njëjti e kishte sulmuar me atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake derisa i dëmtuari kishte dalur në korridor tek fotokopja i pandehur duke i zënë në befasi të dëmtuarin nga mbrapa fillon ta sulmoj me shqelma dhe duar në pjesë të ndryshme të trupit duke e rrëzuar në tokë”, thuhet në aktakuzë.

Të bëmat e Beqës nuk përfundojnë këtu.
Më 16 prill të këtij viti, punëtorja A.A, e Autoritetit të Konkurrencës, iu ishte drejtuar me një shqetësim Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Ajo pretendonte se ishte vëzhguar e monitoruar nga drejtori Beqa përmes kamerave të sigurisë. Thoshte se incizimet nga këto kamera i përcilleshin atij përmes një zyrtari të IT-së, që për më tepër në kohën kritike s’kishte autorizim për mbikëqyrjen e sistemit të kamerave.
Beqa njihet për afërsinë e tij me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje. Ai, në zgjedhjet e 2017-së dhe 2021-së, ishte caktuar anëtar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve nga VV në Prishtinë.

Në një moment, Beqa i ishte drejtuar me një letër ministrit Xhelal Sveçla për leje për mbajtje të armës gjatë gjithë kohës. I thoshte se ka rreziqe puna e tij si gjobvënës për kompani të ndryshme që shkelin ligjet e konkurrencës.










