Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është duke shqyrtuar një sërë opsionesh të mundshme ushtarake në Iran, pas protestave vdekjeprurëse atje, kanë thënë për CNN dy zyrtarë amerikanë, teksa ai po konsideron zbatimin e kërcënimeve të fundit për të goditur regjimin iranian nëse përdor forcë vdekjeprurëse kundër civilëve protestues.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Trump është informuar ditët e fundit për plane të ndryshme ndërhyrjeje, ndërsa dhuna shtetërore në Iran ka çuar në dhjetëra të vrarë dhe të arrestuar.
Një pjesë e opsioneve të paraqitura presidentit amerikan janë fokusuar në goditjen e shërbimeve të sigurisë së Teheranit që po përdoren për shtypjen e protestave, thanë zyrtarët amerikanë.
Trump deklaroi të dielën se Irani e kishte telefonuar të shtunën për të negociuar.
“Udhëheqësit e Iranit duan të negociojnë”, tha Trump. “Mendoj se janë lodhur duke u rrahur nga Shtetet e Bashkuara. Irani dëshiron të negociojë me ne”.
Trump deklaroi se shqetësimi i tij kryesor është dhuna ndaj protestuesve.
“Duket se ka njerëz të vrarë që nuk do të duhej të vriteshin. Këta janë të dhunshëm, nëse i quani udhëheqës. Nuk e di nëse udhëheqësit e tyre sundojnë vetëm përmes dhunës, por ne po e shqyrtojmë shumë seriozisht”, u tha Trump gazetarëve të dielën në bordin e Air Force One. “Ushtria po e shqyrton çështjen dhe ne po shohim disa opsione shumë të forta. Do të marrim një vendim”, shtoi.
Megjithatë, CNN shkruan se brenda administratës amerikane ka shqetësime se goditjet ushtarake mund të kenë efekt të kundërt dhe të minojnë protestat. Sipas zyrtarëve, frika është se sulmet mund të bashkojnë popullin iranian rreth qeverisë ose të çojnë Iranin të hakmerret me forcë ushtarake.
Gazeta The New York Times ishte e para që raportoi se Trump ishte informuar për këto opsione.
Trump po shqyrton gjithashtu një sërë masash kundër regjimit iranian që nuk përfshijnë sulme ushtarake, thanë zyrtarët, teksa ai kërkon të mbajë premtimin për të ndihmuar protestuesit iranianë.
Këto opsione përfshijnë operacione kibernetike kundër ushtrisë iraniane ose objektivave të regjimit, të cilat mund të pengojnë përpjekjet për shtypjen e protestave, tha një zyrtar.
Po ashtu, parashikohen sanksione të reja ndaj figurave të regjimit ose sektorëve të ekonomisë iraniane, si energjia apo bankat.
Administrata amerikane, shkruan CNN ka shqyrtuar edhe ofrimin e teknologjive si Starlink për të forcuar lidhjen me internetin në Iran, duke ndihmuar protestuesit të anashkalojnë bllokadën e informacionit. Trump tha se ka gjasa të telefonojë Elon Musk, pronarin e Starlink, pasi të kthehet në Uashington nga Florida. Ish-presidenti Joe Biden kishte ofruar ndihmë të ngjashme për lidhjen me internet gjatë protestave të vitit 2022.
Një sërë agjencish të ndryshme janë përfshirë në përgatitjen e opsioneve për presidentin, thanë zyrtarët. Informime më formale priten gjatë javës së ardhshme, përfshirë të martën, kur Trump pritet të mbledhë zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare për të diskutuar hapat e mëtejshëm.
Teherani do t’i trajtojë bazat ushtarake dhe tregtare amerikane si objektiva hakmarrjeje nëse Uashingtoni ndërhyn ushtarakisht në Iran, ka paralajmëruar kryetari i parlamentit iranian.
“Nëse SHBA ndërmerr veprime ushtarake ndaj Iranit ose territoreve të pushtuara, bazat ushtarake dhe qendrat e transportit detar të SHBA-së do të konsiderohen objektive legjitime”, tha Mohammad Baqer Qalibaf.
“Ne nuk kufizohemi vetëm në reagim pasi të jetë ndërmarrë një veprim”, shtoi ai.
I pyetur se si do të reagonin Shtetet e Bashkuara nëse Irani do të godiste bazat ushtarake amerikane, Trump theksoi se “ne do t’i godasim në nivele që nuk i kanë përjetuar kurrë më parë”.
Presidenti amerikan ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për ndërhyrje, thanë zyrtarët, por po e shqyrton seriozisht veprimin ndërsa numri i viktimave në Iran vazhdon të rritet. Opsionet që po konsiderohen nuk përfshijnë dërgimin e trupave tokësore në Iran, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për CNN.
Të paktën 10 mijë e 675 persona janë arrestuar, përfshirë 169 fëmijë, gjatë 15 ditëve të fundit në demonstratat anti-regjim në Iran, sipas një bilanci të detajuar të siguruar për CNN nga Skylar Thompson, zëvendësdrejtor i organizatës Human Rights Activists in Iran (HRA).
Sipas përditësimit të fundit të kësaj organizate, të paktën 490 protestues janë vrarë gjatë së njëjtës periudhë.
“Irani po sheh LIRINË, ndoshta si kurrë më parë”, shkroi Trump në rrjetet sociale të shtunën. “SHBA është gati të ndihmojë!!!”.
Të premten, Trump u tha gazetarëve se nëse Teherani përdor dhunë vdekjeprurëse ndaj protestuesve, SHBA do të “përfshihet”.
“E kam thënë shumë qartë se nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, ne do të përfshihemi”, deklaroi Trump gjatë një takimi me drejtues të industrisë së naftës. “Dhe kjo nuk do të thotë trupa tokësore, por do të thotë t’i godasim shumë, shumë fort aty ku u dhemb”.









