Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përpjekje për ta sqaruar deklaratën e saj në Politico, se janë “çmontuar 900 banda kriminale për pjesë vjet”, ka thënë se ka qenë një gabim “shumë i paqëllimshëm” dhe se e ka pasur fjalën për raste.

“Në intervistën që e kam dhënë për Politico, janë bërë ndryshimet e nevojshme. Çfarë kam menduar kanë qenë numri i rasteve, sepse, siç e thatë edhe ju, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave ta zëmë në viti 2021 e tutje, pastaj presionit të vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjes ilegale të armëve në Kosovë, dhunës ndaj qytetarëve – ka pasur djegie të makinave, ka pasur edhe sulme ndaj gazetarëve”, tha Osmani për gazetarë.

Ajo deklaroi se 93 raste janë vetëm të sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it. “93, dy prej të cilave kanë qenë shumë shumë të rënda”.

“Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të involvuara në krime. Pra, kam menduar për raste dhe ka qenë diçka shumë e paqëllimshme që është bërë”, shtoi.

Osmani theksoi se menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm tek intervista. “As Politico nuk e shfrytëzon atë dhe as dikush tjetër natyrisht. Ajo nuk ka dalur në fakt në mediat ndërkombëtare, kanë dalë vetëm disa pjesë, kjo assesi s’ka qenë, sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”, shtoi.

E para vendit pohoi se kanë dërguar njoftim zyrtarisht dhe “natyrisht që ky ndryshim është bërë edhe te versioni i postuar në presidencë”.