“Reagime emocionale”, i ka quajtur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pyetjet e dy studenteve shqiptare në New York, e të reagimeve në përgjithësi, në lidhje me deklarimet e Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, për raportin e saj me Specialen dhe deklaratat ku thoshte se do të dorëzojë dosje në Hagë.
“Pse nuk u është drejtuar Donika Gërvalla qytetarëve të Kosovës për të sqaruar publikisht qëndrimin e saj dhe veprimet e saj lidhur me këtë çështje? Mendoj se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë qartë se ku qëndrojnë institucionet dhe përfaqësuesit e tyre përballë asaj që ju vetë sapo e quajtët padrejtësi?”, ishte pyetja e studentes, Laura Dragusha.
“Donika Gërvalla ka thënë shumë gjëra. Por çështja është se çfarë po zgjidhni ju të shfaqni nga ato që ka thënë. Mendoj se është një dëm i madh ndaj katër liderëve të UÇK-së të cilët padrejtësisht janë të burgosur në Hagë që të drejtohet tani reagim emocional kundër Donika Gërvallës”, është përgjigjur Kurti.
“Nëse jeni kundër Kryeministrit Kurti mos e ktheni Donika Gërvallen në objektiv dhe pastaj të përpiqeni në këtë mënyrë ta ndihmoni Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin. Sepse nuk do të ndodhë. Është një reagim emocional ndaj objektivit të gabuar”, shton.
Ndaj kësaj përgjigje të Kurtit ka reaguar një tjetër studente shqiptare. Anisë Murseli, të parit të Qeverisë së Kosovës ia ka bërë me dije se të kërkosh llogari për Ministren Gërvalla, është krejt normale në një vend demokratik.
“Dua të filloj vetëm duke thënë se, Laura, shoqja ime, duke pyetur për Donika Gërvallen nuk po bën reagim emocional. Nuk do t’i kushtonte shumë Ministres sonë që thjeshtë të rikonfirmonte qëndrimin e saj se ajo nuk ka dërguar prova. Mendoj se kjo është gjithçka që njerëzit mund të kërkojnë dhe është një kërkesë e arsyeshme në një vend demokratik me përfaqësues të zgjedhur për të pyetur për këtë”, i është drejtuar Murseli, Kurtit.
Diskutimi ka ndodhur gjatë së shtunës së 19 shtatorit.








