Fatmir Brajshori, një tjetër aktivist i hershëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës, i pranishëm në Mbledhjen e Kollares në Maqedoni të LPK-së në vitin 1993, ka mohuar kategorikisht se aty ka pasur konflikt mes Hashim Thaçit e Behajdin Allaqit, konstatim ky që u dha nga Gjykata Speciale në aktgjykimin ku dënoi me 81 vjet krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jo nuk ka pasur konflikt. Duhet disa gjëra të sqarohen. Tjetër është konflikti dhe tjetër është polemika e debati. Në mbledhjet e LPK-së ka pasë debate e polemika po nuk ka pasë polemika. Asnjëherë s’kanë ndodh konflikte”, tha Brajshori në Debat Plus.

“Behajdin Allaqi s’ka qenë në struktura udhëheqëse të LPK-së.  S’ka të bëjë aty me zënie të vendit të dikujt”, shton.

“Jo absolutisht (Hashim Thaçi s’ka dashur ta eliminojë politikisht Behajdin Allaqit). Kjo fare nuk qëndron sepse pak kush e ka menduar që liria do të vije kaq shpejt. Atëherë është diskutu. Ka pasë mospajtime për rrugën”, tha Brajshori.

Në aktgjykimin e datës 16 shtator, Gjykata Speciale pretendoi se Hashim Thaçi e Behajdin Allaqi ishin përplasur në mbledhjen e vitit 1993 në Kollare. Ky konflikt, sipas Speciales ishte bartur nëpër vite derisa përfundimisht Allaqi ishte vrarë, akt për të cilin, pa ofruar asnjë provë Gjykata në Hagë ia mveshi Hashim Thaçit e Kadri Veselit.