Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar protestuesit se secili prej tyre “do të marrë përgjigjen” nëse shkakton akte dhunë. Ai thotë se pasojat do të jenë konstante, ligjore e financiare.
“Çdo dhunues do të marrë përgjigjen. Përgjigja nuk do të vonojë dhe do të jetë konstante, ligjore, financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët do të paguajë. Kush dëmton pasurinë e tjetrit, do të paguajë. Liria e askujt nuk mund të shtrihet aty ku fillon liria e tjetrit”, tha Rama.
Ai para objektit të Kryeministrisë vendosi sërish karriget me mbishkrimin me kërkesën për dialog.
“Ka një 1001 pakënaqësi, 1001 halle, 1001 probleme. Mund të ketë edhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialog. Për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhe dhe shtëpi të përbashkët. Mes njerëz që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë. E drejta e protestës është e pamohueshme. Dhuna është krim i ndëshkueshëm”, tha Rama në fund.









