Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ka thënë se nuk e shohin opsion lirimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe heqjen e akcizës për derivate, pas rritjes së çmimit të tyre.

“TVSH-ja asnjëherë nuk ka qenë asnjëherë opsion, për shkak se është shumë problem të përcjellet TVSH-ja, pasi TVSH është ajo që paguhet nga qytetarët, do të thotë nga secili konsumator fundor”, tha Kusari Lila në një prononcim për gazetarë të hënën pas kërkesës së dorëzuar në ministrinë që ajo drejton nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për lirimin e TVSH-së për derivate dhe heqjen e akcizës.

Sipas saj, “lehtësisht thuhet, por është vështirë e aplikueshme, për shkak se mund të përfundojmë në situata kur TVSH-ja hiqet, por çmimi mbetet i njëjtë, për shkak se operatorët ekonomikë nuk e heqin dhe ne si Ministri nuk kemi mekanizëm të ndaljes apo mbajtjes së çmimit tavan edhe për produkte të tjera”.

“Sa i përket akcizës, mbetet të përcjellët. Në situatën aktuale nuk e konsiderojmë si opsion heqjen e akcizës, por përcjelljen e situatës në të cilën çmimi i importuar nuk e kalon çmimin tavan i cili është 12 cent në pakicë dhe 2 cent në shumicë”, shtoi ajo ndër të tjera.

Për situata më tutje, Kusari-Lila tha se mbetet të shihet.