VOX Kosova raportoi dje se si në një formë krejt të paprecedentë kabineti i ministrit Hajrullah Çeku intervenoi dhe u përzie duke ndryshuar fituesit e Çmimeve “për Vepër Jetësore” dhe “të Arriturat në Fushën e Artit Pamor” për vitin 2024. U shpallën fitues Hysni Krasniqi, respektivisht Eliza Hoxha, por u ndryshuan nga një juri e re e krijuar nga Hajrullah Çeku.
VOX Kosova ka siguruar edhe vendimin ku Eliza Hoxha dhe Hysni Krasniqi u shpallën fitues nga juria e përbërë nga Fatmir Krypa, Eshref Qahili dhe Hazir Reka.
DOKUMENT:


Kjo juri vendosi që çmimet të shkonin për: Hysni Krasniqin – Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Eliza Hoxhën – Çmimi Vjetor për të Arriturat në fushën e Artit Pamor për vitin 2024.
Dy emrat e lartëpërmendur nuk ishin të preferuar për ministrin Çeku dhe kabinetin e tij, andaj këta rrotulluan gjithçka në vazhdim. Sipas burimeve të VOX Kosova, ata bënë presion të drejtpërdrejtë ndaj jurisë të ndryshoheshin fituesit. Kur nuk pranuan, u ndërrua krejtësisht juria. E e reja, e përbërë nga Rudina Xhaferi, Artan Hajrullahu e Afrim Hajrullahu shpalli fitues Agim Salihun e Doruntina Kastratin.
Dëshmi tjetër e ndërhyrjes në këtë proces janë edhe propozuesit e fituesve. Herën e parë, kur Eliza Hoxha e Hysni Krasniqi triumfuan, propozuesit ishin Organizata Jo-Qeveritare, shoqata e fakultete. Herën e dytë, kur fitoi Doruntina Kastrati, propozimi erdhi direkt nga Galeria e Arteve e Kosovës.
DOKUMENT:


Me lidhje familjare.
Juria e ministrit vendosi që Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi” t’i ndahej Agim Salihut, ndërsa Çmimi Vjetor për të Arriturat në fushën e Artit Pamor për vitin 2024, Doruntina Kastratit.
Kjo e fundit ishte përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për ta përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venecias në vitin 2024.
Në procesverbalin e jurisë së re, që mban datën 22 shtator 2025, e që e ka siguruar VOX Kosova, thuhet se Agim Salihu është familjar i kryesueses së jurisë, Rudina Xhaferi. Por ajo, thuhet në procesverbal, është tërhequr nga salla kur është votuar.
E çuditërisht, në votim kanë marrë pjesë për këtë kategori vetëm dy anëtarë të jurisë – Afrim dhe Artan Hajrullahu – dhe çmimin ia ndanë pikërisht familjarit të kryesueses, Agim Salihut.
Rudina Xhaferi kishe qenë pjesë e jurisë për të njëjtat çmime edhe në vitin 2021.
Reagimi i Eliza Hoxhës:
Për raportimin e VOX Kosova reagoi edhe fituesja nga juria e parë, Eliza Hoxha.
“Shiheni deri ku shkon marria e një ministri pastaj kur rezultati i një procesi tjetër nuk i shkon atij për shtati atij”, shkroi ajo.
“Kabineti i Ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku, është përzier drejtpërdrejt në ndarjen e çmimeve për artin pamor – ani pse për këtë ishte formuar fillimisht një juri profesionale”, vazhdoi.
Ajo akuzoi madje se emri i artistes që iu nda çmimi në rivlerësim është futur më vonë dhe se “nuk ka qenë i nominuar e as në listën e vlerësimit të parë. Thjeshtë e kanë futur atë pas mbylljes së afatit dhe përfundimit të procesit të vlerësimit të pare”.









