Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka thënë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë për krime të pretenduara lufte, do të dalin të lirë shumë shpejt, duke u zotuar që çka do që është në kompetencën e dikasterit që ai udhëheq do të jenë të gatshëm t’i ofrojnë shërbimet.

“Të gjithë ata që janë padrejtësisht në Hagë do dalin të lirë shumë shpejt, çka do që është në kompetencën të ministrisë time natyrisht që do të jetë në dispozicion të secilit për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare, por departamenti që merret me Dhomat e Specializuara është në Ministri të Drejtësisë nuk është te unë. Megjithatë, në kompetencë timen në bashkëpunim me cilindo departament do të jemi të gatshëm të ofrojmë shërbimet tona si Ministri”, ka thënë Hoti gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Këto deklarata, Hoti i bëri pasi që deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, i kërkoi atij që ta trajtojë me prioritet çështjen e krerëve të UÇK-së tani kur procesi është në fund.

“Ju si ministër dhe ne si Komision është mirë të bashkërendojmë veprimet që një raportim i tillë të ndodh në Kuvend. Ne betejën juridike e kemi fituar në sallën e gjyqit, tash ka mbet beteja politike. Një angazhim që ta ketë prioritet Dhomat e Specializuara verdiktin për krerët e UÇK-së meqë është betejë politike dhe diplomatike angazhimi juaj si ministër do krijonte një mekanizëm të mbikëqyrjes”, tha ai.

“Ju kisha lut si Ministër të bisedoni me Qeverinë në mënyrë që kërkesat nga mbrojtja të adresohen dhe po e përmbyll me një pyetje se cili ka me qenë angazhimi juaj konkret këta pak muaj që kanë mbetur?”.