RTK-ja ka raportuar në edicionin qendror të lajmeve se PDK-ja po kërkon “uljen e dënimeve për krerët e UÇK-së”.

Ndaj këtij raportimi ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës, duke e cilësuar atë si të pavërtetë dhe fyes.

PDK-ja ka thënë se formulimi i përdorur nga RTK-ja e shtrembëron qëndrimin e saj, duke theksuar se partia e ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe kërkon lirimin e plotë të çlirimtarëve.

Sipas PDK-së, angazhimi i saj është për drejtësi dhe për përfshirje të plotë të shtetit në sigurimin e mbrojtjes më të mirë të mundshme për ish-krerët e UÇK-së në procesin e apelit.

Partia thotë se kësaj i shërben edhe nisma e saj ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“PDK e ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe kërkon lirimin e plotë të çlirimtarëve. Kërkojmë drejtësi dhe angazhim të plotë të shtetit për t’u siguruar atyre mbrojtjen më të mirë të mundshme në procesin e apelit”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK-ja ka kundërshtuar qëndrimin e saj të paraqitet si kërkesë për ulje dënimesh.

“Nuk pranojmë që kërkesa jonë për drejtësi dhe lirim të plotë të paraqitet para publikut si kërkesë për ulje dënimesh”, thuhet më tej në reagim.

Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur gjithashtu shqetësime për politikën redaksionale të transmetuesit publik, duke thënë se raportimi krijon përshtypjen e një shtrembërimi me prapavijë politike.

PDK-ja i ka kërkuar RTK-së që ta korrigjojë menjëherë kronikën, ta sqarojë qëndrimin e saj dhe të kërkojë falje publike për raportimin.