Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka paralajmëruar se demonstratat në Prishtinë janë duke vazhduar dhe pritet të zgjasin edhe gjatë javëve të ardhshme.

Në njoftimin e publikuar, Ambasada bën të ditur se protestuesit pritet të mblidhen në qendër të kryeqytetit, ndërsa demonstratat mund të përhapen me shpejtësi edhe në zonat përreth, me pak ose aspak paralajmërim paraprak.

Sipas paralajmërimit, tubimet mund të nisin në mënyrë paqësore, por të përshkallëzohen shpejt dhe pa paralajmërim, duke shkaktuar pengesa në trafik, ndërprerje të shërbimeve dhe, në disa raste, mbyllje të rrugëve.

Ambasada paralajmëron gjithashtu për prani të shtuar të policisë, devijime të qarkullimit dhe mbyllje të rrugëve në orët para dhe gjatë demonstratave.

Personelit të Ambasadës në Prishtinë i është këshilluar që të shmangë demonstratat dhe tubimet e mëdha, ndërsa qytetarëve që gjenden pranë tyre u është bërë thirrje të jenë vigjilentë dhe të kenë prioritet sigurinë personale.

Ambasada ka rekomanduar gjithashtu përcjelljen e mediave lokale dhe të uebfaqes së saj për informacione të përditësuara.