Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij po dërgohen drejt New York-ut pasi janë kapur nga autoritetet amerikane, ka deklaruar Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një intervistë për Fox News.

Trump ka bërë të ditur se çifti është paditur në New York dhe se do të udhëtojnë drejt këtij shteti përmes anijes pasi u larguan nga Venezuela me helikopterë. Raportime të CNN tregojnë se çifti u tërhoq zvarrë nga dhoma e tyre e gjumit. Ndërkaq Trump tha se Maduro ishte përpjekur të hynte në një zonë të fortifikuar për situata emergjente, por nuk ia kishte dalur.

“Ata kanë vrarë shumë njerëz, përfshirë edhe shumë amerikanë, madje edhe qytetarë të vendit të tyre”, ka deklaruar Trump.

Ndër të tjera, në intervistën e tij për FOX News, i zgjedhuri i popullit amerikan tha se i kishte thënë Maduros të dorëzohej një javë para sulmit të sotëm.

Trump komentoi edhe nëse vendi i tij do ta përkrahë lideren opozitare, Maria Corina Machado, për udhëheqëse të vendit.

“Na duhet të shikojmë menjëherë”, tha Trump.

“Ata (Venezuela) kanë një zëvendës-presidente. Nuk e di se çfarë lloj zgjedhje ishte ajo, por, e dini, zgjedhja e Maduros ishte një turp”, komentoi tutje Trump lidhur me këtë çështje.

Trump u shpreh shumë krenar me forcat e tij dhe tha se askush në botë nuk do të mund ta bënte një manovër të tillë. Ai tha se e ka shikuar këtë emision si të shikonte ndonjë spektakël televiziv.

“Ishte tamam si ta shikoje një spektakël televiziv”, tha ai “nëse do të mund ta shihnit shpetjësinë, dhunën, ishte një gjë e mrekullueshme… nuk ka asnjë vend tjetër në botë që mund ta bëjë këtë manovër.