Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në një punim të publikuar në gusht të vitit 2012, kishte pretenduar se ka pasur një lidhje të fuqishme të trafikantëve të drogës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, një raport i deklasifikuar i CIA-s – shërbimi kryesor i inteligjencës amerikane – i hartur në janar të vitit 2000, kishte mohuar një ndërlidhje të tillë.

Në punimin e tij, Basha shkruan se “lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, ka raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqimisht një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”.

Punimi i Dimal Bashes

Nga ana tjetër, raporti i CIA-së e dëshmon të kundërtën. Aty thuhet se “lidershipi i UÇK-së nuk duket të jetë përfshirë në operacione narkotike në mbështetje të aktiviteteve të tyre gjatë luftës”.

“Raportime shtypi në nivele të ndryshme të besueshmërisë tregojnë se anëtarët e UÇK-së janë të përfshirë në trafikim të trafikantëve, por ne nuk kemi informacion mbi shkallën e këtyre aktiviteteve”, thotë më tutje raporti.

Raporti i CIA-s

Përveç kësaj, në këtë raport edhe thuhet se UÇK-ja “nuk ka qenë e përfshirë në aktivitete terroriste – të definuara si dhunë e parapërgatitur, politikisht e motivuar e ndërmarrë kundër caqeve jo-luftuese”.