Sipas Kryeministrit në detyrë të Kosovë, Albin Kurti, “nuk është e drejtë” që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste nga Qeveria, pasi që, siç thotë ai Kosova nuk është shtet policor që Qeveria të shpallë një parti politike si organizatë terroriste.

“Tash Kosova nuk është shtet policor, ku Qeveria e shpallë një parti politike organizatë terroriste. Unë besoj që nuk është e drejtë. Unë besoj që na duhen vendime gjyqësore lidhur me një parti politike, se është dallim normativ midis organizatave si ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ në njërën anë që figuronin në organogramin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe kishin paramilitarë të armatosur në Kosovë me partinë Lista Serbe, ku natyrisht, nënkryetari i saj mori pjesë në aksionin terrorist në Banjska, këta nuk u distancuan prej tij, dhe unë besoj që ai vazhdon të jetë kryetar de facto i Listës Serbe”, tha Kurti në një intervistë për Kanal 10.