Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, po beson se është “fitore” fakti që, sipas tij, “Gjykata Speciale e theksoi që UÇK-ja nuk është në gjyq”, ndonëse ish-krerët e saj morën dënim tmerrësisht të lartë, me 81 vite për të katërt.
Ai madje i del disi në mbrojtje Speciales, duke thënë se vendimi i saj assesi nuk ka për qëllim të minojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare.
“Lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër. Anipse aktgjykimi i fundit dha një goditje të rëndë për historinë dhe të vërtetën, megjithatë janë së paku tri gjëra që duhet t’i nxjerrim e përdorim si shoqëri e shtet:
1) Pretendimi për Shtëpinë e Verdhë dhe trafikimin e organeve nuk hyri as në aktakuzë;
2) Ra pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike kundër popullatës civile;
3) Gjykata Speciale e theksoi që UÇK-ja nuk është në gjyq, dhe vendimi i saj assesi nuk ka për qëllim të minojë drejtësinë ose legjitimitetin e luftës çlirimtare”, shkruan Abrashi në Facebook.
Kujtojmë që gjatë aktgjykimit, mbi të gjitha, UÇK-ja u cilësua edhe si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.
Ndërkohë, nuk është aspak i çuditshëm ky mendim, kur ende nuk ka reaguar bashkëpunëtorja e tij në Lëvizjen Vetëvendosje, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.









