Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet në lidhje me pretendimet se në protestën e së hënës, Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës me afat të skaduar ndaj protestuesve.

“IPK në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë tashmë ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës. Në kuadër të këtij hetimi, përveç pjesës së ankesave të qytetarëve, do të verifikohen edhe pretendimet e ngritura lidhur me afatin e skadimit të gazit lotsjellës.”, ka thënë IPK për Ekonomia Online.

Në protestën e së hënës, policia përdori gaz lotsjellës, sprej për sy e ujë kundër protestuesve.

Si pasojë e dhunës policore, dhjetëra protestues mbetën të lënduar.

Qytetarët protestuan të hënën duke kërkuar që të votohet Ligji për Dhomat e Specializuara, i cili u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës pasi që Specialja dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.