Në një luftë ku shteti serb organizoi spastrim etnik, duke vrarë mbi 11 mijë civilë shqiptarë, duke dëbuar nga shtëpitë e tyre rreth 1 milion të tjerë dhe duke djegur qindra mijëra prona private e publike, çuditërisht drejtësia ka nxjerrë më shumë dënime ndaj palës që u kryengrit kundër këtij aparati gjenocidal – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Statistikat e organizatës Fondi për të Drejtën Humanitare tregojnë se që nga paslufta, nga gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it, gjykatat vendore, gjykatat në Serbi, Tribunali për ish-Jugosllavinë dhe tash Gjykata Speciale, janë dënuar për krime lufte 42 pjesëtarë të UÇK-së.
Për të gjitha ato krime makabre që kreu Serbia kriminale e Millosheviqit, u dënuan vetëm 34 pjesëtarë të forcave serbe.
Këto statistika tregojnë qartë se për 25 vjet ndaj UÇK-së ka pasur një përndjekje të pashembullt. Përkundër faktit se bashkëpunoi dhe nuk iu shmang kurrë drejtësisë, për UÇK-në, si rrallë në botë, u ngrit edhe një institucion special vetëm për ta shënjestruar atë – Gjykata Speciale.
Për Serbinë, e cila njihet botërisht se ka refuzuar të bashkëpunojë me drejtësinë, ku shumë prej të kërkuarve janë ende në arrati, nuk pati kurrë një diskutim për një gjykatë speciale, siç ndodhi me Kosovën.
Nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, i administruar nga UNMIK-u, EULEX-i dhe institucionet vendore, janë dënuar 35 pjesëtarë të UÇK-së. Nga Tribunali për ish-Jugosllavinë u dënuan dy pjesëtarë të saj; nga gjykatat serbe u dënuan 3 dhe nga Gjykata Speciale dy, Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën.
Nga Tribunali për ish-Jugosllavinë u dënuan gjashtë zyrtarë serbë, nderkaa nga gjykatat e Kosovës, të administruara nga UNMIK-u, EULEX-i dhe autoritetet vendore, u dënuan 12 pjesëtarë të forcave serbe. Në gjykatat në Serbi u dënuan 15 pjesëtarë të forcave serbe, dhe një dënim për një pjesëtar të tyre u dha edhe në Mal të Zi.
Këto statistika nuk janë thjesht numra të ndikuar nga rrethana rastësore apo teknike.
Janë mesazh i qartë se kemi të bëjmë me drejtësi selektive.
Nuk ka si të mos jetë e tillë, kur para nesh një prokurori speciale po kërkon të dënojë me 180 vjet burg, nga 45 për secilin, katër figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerë institucionesh: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Dhe krejt kjo në një proces të kontestuar fort, me transparence minimale, shkelje serioze te të drejtave te njeriut, me gjykim e paraburgim te gjate, me prova te dyshimta e keqinterpretime te qëllimshme.
Çfarë drejtësie është kjo?








