Në mbrëmje, në fund të javës e me paqartësi të mëdha, Ministria e Arsimit ka publikuar një njoftim të çuditshëm në Facebook, duke hutuar krejtësisht prindërit me kërkesën që të mos ua blejnë librat fëmijëve, kur kanë mbetur edhe veç 10 ditë për fillimin e vitit të ri shkollor…

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton prindërit dhe kujdestarët ligjorë se procesi i negocimit të çmimeve për tekstet mësimore me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar. Për këtë arsye, katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë.” thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Pra, përderisa i kishin plot dy muaj verë në dispozicion, duket se Ministrisë së Arsimit nuk i është ngutur fort për t’i përfunduar obligimet, por akoma tash bën thirrje që librat të mos blihen në ditët e fundit para fillimit të vitit shkollor.

E kjo, kur tashmë shumë prindër kanë filluar t’i blejnë librat që prej vitesh janë detyruar t’i blejnë vetë, me paratë që pastaj Ministria ua bart në llogari.

Pra, ndryshe nga dikur, kur librat shpërndaheshin nëpër shkolla, prindërit tashmë duhet të merren vetë me blerjen e tyre.

Por tash, kur viti i ri shkollor është vetëm 10 ditë larg, Ministria ende nuk e ka përfunduar as procesin e negocimit të çmimeve me shtëpitë botuese.

Një gjë e tillë i ka frustruar prindërit, të cilët kanë shpërthyer në komente në faqen e Ministrisë së Arsimit, duke e fajësuar këtë institucion së pari për vetë mënyrën se si është organizuar blerja e librave.

Ata kanë kujtuar se tash e sa vite Qeveria Kurti ua ka lënë prindërve përgjegjësinë për blerjen e teksteve shkollore, në vend se librat të shpërndaheshin në shkolla, siç kishte ndodhur për vite të tëra.

Por prindërit janë ankuar sidomos për kohën kur ka ardhur ky njoftim për mos-nxitim me blerje të teksteve. Vetëm 10 ditë para fillimit të vitit të ri shkollor. Në një kohë kur disa prej tyre tashmë i kanë blerë librat për fëmijët.

E të tjerë kishin planifikuar t’i blejnë pikërisht këto ditë, për të mos e lënë gjithçka për orët e fundit.

I çuditshëm është sidomos fakti që Ministria as nuk ka dhënë  një datë të qartë se kur prindërit do të mund ta kenë më në fund katalogun përfundimtar me tekstet dhe çmimet përkatëse.