Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt është i rëndësishëm, pasi përmes tij do të identifikohen zyrtarët që nuk i kanë kryer detyrat e tyre.

Në një intervistë për RTK-në, Haxhiu ka thënë se, pavarësisht kritikave për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi duhej ta thoshte fjalën e vet për rastet e tilla.

“Ne u kritikuam që thirrëm seancën e jashtëzakonshme, por nuk është normale që Kuvendi të mos e thotë fjalën e vet në raport me këto raste, prandaj edhe kemi vlerësuar që një seancë e tillë, nga e cila nxirret një komision hetimor, është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se komisioni do të ndihmojë në identifikimin e përgjegjësive individuale, ndërsa raporti i tij do t’i përcillet Prokurorisë Speciale.

“Raporti do t’i përcillet Prokurorisë Speciale, por po ashtu do të shërbejë edhe si parandalim, që në të ardhmen të mos ketë zyrtarë që vendosin në diskrecionin e tyre nëse duhet ta kryejnë detyrën apo jo”, ka thënë Haxhiu duke vlerësuar sërish se përgjegjësia duhet të jetë individuale.