Dimal Basha, Ministër i Kosovës për Infrastrukturë dhe Transport, ka deklaruar se vendosja e Deklaratës së Pavarësisë në dysheme prapa një divani në zyrën e tij ka ndodhur si pasojë e një procesi së “bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës në objektin e ri të Ministrisë”.

“Dua ta sqaroj për opinionin publik se aktualisht jemi në proces të bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës në objektin e ri të Ministrisë”, ka shkruar Basha.

Ai ka zhveshur veten nga çdo lloj përgjegjësie për lokacionin e gërditshëm të Deklaratës, duke thënë se ai nuk merret me organizimin e inventarit, por zyrtarët e logjistikës, duke e trajtuar përdhosjen e deklaratës edhe si “çështje teknike dhe operative të organizimit”.

Të premten e 8 majit, në një foto të publikuar nga ish deputetja e VV-së, Adelina Grainca, gjatë takimit me Bashën, u pa se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte vendosur në një lokacion përçmues.

Kujtojmë se Basha ishte autor i një punimi të quajtur akademik në të cilin Ushtria Çlirimtare e Kosovës përshkruhej si organizim i nëntokës i lidhur me botën e krimit.